FBI dhe (CISA) kanë publikuar raportin për sulmet kibernetike nga Irani që goditën Shqipërinë në korrik dhe shtator.
Në raport thuhet se hakerat iranianë kanë pasur akses fillestar 14 muaj përpara se të kryenin sulmin kibernetik. Hakerat iranianë kanë kërkuar që të zbulojnë informacione të ndryshme dhe të vjedhin kredencialet nga rrjetet e qeverisë shqiptare.
“Në Korrik 2022, aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë, të identifikuar si “HomeLand Justice”, nisën një sulm kibernetik shkatërrues kundër Qeverisë së Shqipërisë, i cili i bëri faqet e internetit dhe shërbimeve të padisponueshme.
Një hetim i FBI-së tregon se aktorët kibernetikë shtetërorë iranianë patën akses fillestar në rrjetin e viktimës afërsisht 14 muaj përpara se të fillonin sulmin shkatërrues kibernetik, i cili përfshinte një kodues skedari të llojit ‘ransomware’ dhe një ‘malware’ që fshinte disqet.
Aktorët mbajtën akses të vazhdueshëm në rrjet për afërsisht një vit, duke aksesuar dhe shfrytëzuar periodikisht përmbajtjen e postës elektronike”, thuhet në raportin e FBI.
FBI-së thotë se në qershor 2022 Homeland Justice ka krijuar një website dhe disa profile të ndryshme në rrjete sociale duke postuar mesazhe anti-MEK. Në Shtator 2022, aktorët kibernetikë iranianë kanë nisur një tjetër valë sulmesh kibernetike kundër qeverisë së Shqipërisë.