Ushtria ukrainase tha se po rikthen territorin e pushtuar nga forcat ruse në rajonin e Luhanskut.
Departamenti për komunikime strategjike i forcave të armatosura të Ukrainës tha përmes Telegramit më 22 shtator se forcat pushtuese ruse “po kalojnë nëpër një moment të keq” afër Lisiçanskut, qytet në rajonin lindor të Luhanskut.
Luhansku – pjesë e rajonit lindor ukrainas të Donbasit dhe njëherësh një prej katër territoreve të kontrolluara nga rusët, ku është paralajmëruar mbajtja e të ashtuquajturave referendume për t’iu bashkuar Rusisë – është pothuajse krejtësisht nën kontrollin e forcave ruse.
Forcat e Kievit në javët e fundit kanë rimarrë territor në lindje, territor që u pushtua nga rusët, pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt.