Ish-mesfushori i talentuar i kombëtares, Ervin Skela kërkon nga të gjithë shqitparët që të mbështesin ekipin përfaqësues në këtë moment të vështirë pas humbjes në Izrael.
“Nga lotët për fitoren me Greqinë, te ankthi i Beogradit, nga ngazëllimi i kualifikimit në finalet e europianit të 2016-s.
Te trishtimi i mbrëmshëm në Izrael, janë të gjithë kapituj që shkruajnë historinë tonë. Jo të gjithë kapitujt e jetës janë të bukur.
Ne shumë prej tyre derdhim edhe lot, por gjithnjë duhet të kuptojmë se duhet më shumë besim për të parë drejt së ardhmes.
Fanella kuqezi nuk ka emër, as timin dhe as të atyre që kanë qenë dhe atyre që do të vine. Fanella kuqezi ka krenarinë e çdo shqiptari.
Vetëm kur mban veshur këtë fanellë arrin të kuptosh sa e rëndë është, sa përgjegjësi ke, për atë moment dhe për ato që do të vinë pas teje.
Vetëm kur e vesh atë fanellë kupton se është lagur me djersen e shumë korifejve të futbollit, është zhubrosur nga grinta e tyre, është mbushur me talentin e paçmuar të të gjithëve atyre që e kanë patur atë nder.
Kombëtarja ka patur, ka dhe do të ketë një histori. Jemi ne që duhet ta duam njësoj, ne ditë të mira dhe në ditë të këqija.
Ndaj ky është momenti i duhur që ta duam dhe të jemi më pranë ekipit kombëtar, se kështu respektojmë më shumë ngjyrat kuqezi.
Ekipi kombëtar është emblemë, është dëshirë, pasion, mbi të gjitha besim. Besim që marrim prej atyre që luajnë në fushën e lojës dhe besim prej nesh që duhet ti mbështesim.
Dhe unë jam besimplotë se kemi një skuadër me futbollistë shumë të talentuar, kemi djem të mrekullueshëm, që duan më shumë besim, më shumë zemer, më shumë vendosmëri.
Është çasti që të jemi të gjithë bashkë. Ta ngrenë kokën lart, krenare dhe të vendosur. Ti mbështesim, t’i mbushim me kurajo duke thirrur fort nga shkallët e stadiumit: o sa mirë me qenë shqiptar!
Kombëtarja kërkon mbështetjen tonë sot, që ta duam edhe më shumë nesër. Të gjithë bashkë ne stadium për ndeshjen me Islandën” shkruan ai.