Turqia dhe Greqia janë në një raport shumë të tensionuar duke bërë që herë pas here nga Ankaraja të flitet edhe për luftë.
Turqit kërkojnë nga grekët që të largojnë ushtrinë nga ishujt përballë tokës turke, siç parashikohet në konventën e Lozanës, por grekët e kanë mohuar përherë praninë e ushtrisë aty.
Mirëpo, sot Turqia ka lëshuar dronët drejt ishujve Lesvos dhe Samos, shumë pranë Turqisë duke bërë foto të disa anijeve ushtarake, të cilat zbresin në ishull një numër të madh mjetesh të blinduara.
Bëhet fjalë për mjete të blinduara që amerikanët ia dhanë grekëve disa muaj më parë, gjë që ka acaruar shumë Turqinë.
Dërgimi i dronëve luftarakë turq në hapësirën ajrore greke është një çështje tjetër që mund të nxisë debate mes dy shteteve pasi bëhet fjalë për “Bayraktarët” e armatosur. Në këtë mënyrë, turqit i treguan grekëve se mund t’i godasin kurdo për aq kohë sa i vunë në shënjestër.
Ndërkohë, më herët, grekët vunë në shënjestër avionët turq përmes sistemit të raketave S-300 të vendosura në Kretë.