Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se është mbushur kupa.
Me nxënësit tash e një muaj në grevë, Haradinaj shkruan në Facebook se më nuk ka shumë alternativa, prandaj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ose duhet ta “ndalë grevën”, ose të “jep dorëheqje”.
“Kush je ti që i ke dhënë të drejtë vetes që t’i lësh në rrugë 300 e sa mijë fëmijë!? A e di që e ke bllokuar krejt shtetin me kryeneçësinë tënde!”, shkruan Haradinaj.
“Shkarkoje që sonte ministren e arsimit dhe merr vendim për hapjen e shkollave. Mos shko më larg sepse edhe ashtu ke kapërcyer çdo kufi”.
Për ish-kryeministrin e Kosovës, situata e shkaktuar me grevën e sindikatave të Kosovës është emergjente.
“Nuk ka një rast tjetër në kohë paqeje që shkollat mbeten të mbyllura një muaj. Kryeministri ose duhet të gjejë zgjidhje, menjëherë, ose duhet ta pranojë se është i paaftë dhe të lëshojë rrugë!”.
Haradinaj ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit, i cili Këshillin Grevist e ka etiketuar si një grup me interesa politike.