Udhëheqësi i Kishës Ortodokse në Rusi, Patriarku Kirill, u ka thënë ndjekësve të tij se sakrifica e kryerjes së detyrave ushtarake i pastron nga të gjitha mëkatet.
Ai i ka bërë këto komente pas rritjes së kritikave ndaj vendimeve të Kremlinit për mobilizim të pjesshëm të forcave ruse për luftën në Ukrainë.
Zyrtarët perëndimorë vlerësojnë se Rusia është përballur me 70.000-80.000 viktima prej nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Mediat ruse kanë thënë se shënjestra reale janë 1 milion trupa, prandaj raportimet se edhe burrat e rinj pa eksperiencë ushtarake do të mund të angazhohen, ka nxitur kritika edhe nga zërat pro-Kremlinit.
Kirill, mbështetës i njohur i presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë në të kaluarën se rusët janë duke bërë “vepër historike” duke vrarë ukrainasit, edhe pse ka bërë thirrje që të mos i shohin ukrainasit si armiq.
“Ne e dimë se shumë njerëz janë duke vdekur në fushëbetejë”, ka thënë Kirill në një kishë afër Moskës.
“Kisha është duke u lutur që kjo betejë të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe që sa më pak vëllezër të vrasin njëri-tjetrin”.
Megjithatë, ka shtuar se kisha e pranon që nëse dikush, i shtyrë nga ndjenja e detyrës dhe nevoja për të mbajtur betimin, rri besnik ndaj detyrave ushtarake, atëherë ai, pa asnjë dyshim, është duke kryer detyrat që janë të barabarta me sakrificë.