Herët të martën, autoritetet detare të Suedisë lëshuan një paralajmërim për dy rrjedhje në tubacionin e gazit natyror Nord Stream 1 në ujërat suedeze dhe daneze.
Në të njëjtën kohë, sizmologë nga Danimarka dhe Suedia raportojnë se shpërthime janë regjistruar në vendet ku vërehen probleme.
Konkretisht, sizmologët nga të dy vendet regjistruan shpërthime të forta në zonat ku u vëzhguan rrjedhjet, siç raportohet nga Qendra Kombëtare Sizmologjike Suedeze (SNSN) e Universitetit të Uppsala.
“Nuk ka dyshim se këto ishin shpërthime,” tha sizmologu Bjorn Lund për transmetuesin publik SVT.
Sipas qendrës gjermane të kërkimit gjeologjik GFZ, një sizmograf në ishullin danez Bornholm regjistroi dy lëkundje të martën. Sizmografi nuk kishte regjistruar absolutisht asgjë deri në orën 02:03 të mëngjesit me kohën lokale, kur u shfaq një goditje që përfaqësonte një dridhje, e ndjekur nga një formë vale e vazhdueshme. I njëjti model u përsërit në orën 17:00.
![](http://5pyetjet.al/wp-content/plugins/a3-lazy-load/assets/images/lazy_placeholder.gif)
Gazsjellësi Nord Stream 2 pësoi një rënie të presionit të hënën dhe disa orë më vonë e njëjta gjë ndodhi me gazsjellësin Nord Stream 1, i cili ndjek një rrugë pothuajse paralele nën Baltik.
GFZ nuk pranoi të spekulojë nëse indikacionet janë të lidhura me rrjedhjet e zbuluara në tubacionet pranë ishullit Bornholm.
Forcat e armatosura daneze publikuan një video që tregon flluska të mëdha që ngrihen në sipërfaqen e Detit Baltik mbi tubacionet Nord Stream 1 dhe 2. Flluskat variojnë nga 200 deri në 1000 metra në diametër. “Më i madhi arrin një kilometër. Më i vogli formon një rreth prej (diametër) 200 metra”, shpjegoi ushtria.