Presidenti rus, Vladimir Putin, ka të ngjarë që të njoftojë për bashkimin e rajoneve të pushtuara të Ukrainës me Federatën Ruse gjatë adresimit të tij në Parlament më 30 shtator, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
Aktualisht, në katër territoret pjesërisht të okupuara nga Rusia, po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkimin me Rusinë.
“Liderët e Rusisë shpresojnë që çdo njoftim për bashkim do të shihet si justifikim për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’ dhe do të konsolidojë mbështetjen patriotike për luftën”, tha inteligjenca britanike përmes një postimi në Twitter.
Nga 23 shtatori deri më 27 shtator, në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë.
Kievi dhe Perëndimi i kanë cilësuar votimet si “të rreme” dhe kanë thënë se mbajtja e tyre është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke paralajmëruar se nuk do të njohin rezultatet./REL