Për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti janë katër arsye pse një konflikt i hapur eventual mund të jetë i imagjinueshëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Beogradi zyrtar, sipas Kurtit përveç se po minon përpjekjet e Kosovës për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare po financon strukturat ilegale brenda Kosovës për ta minimizuar kështu sundimin e ligjit dhe sovranitetit në këtë pjesë të vendit.
“Kjo është e para, e dyta në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990-ta ata nuk kanë keqardhje”, shpjegon Kurti në një intervistë për revistën zvicerane “Die Republik”.
Arsyeja e tretë për të cilën Kurti shqetësohet është se Serbia nuk është një vend demokratik. “Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik”, pohon më tej ai.
“Së katërti Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin. Vuçiç e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet”.
Për Kurtin konfliktin e krizën në Ballkanin Perëndimor e inkurajojnë vetëm zyrtarët serb.
“Gjendja e krizës ekziston vetëm në retorikën e politikanëve, njerëzit e zakonshëm nuk duan konflikt dhe nuk e inkurajojnë atë. Disa qindra njerëz të financuar nga Beogradi e bëjnë këtë. Shumë prej tyre kan fituar përvojë në luftërat e ish-Jugosllavisë”.
Ka pasur thirrje, madje edhe komunikatë zyrtare nga Bashkimi Evropian që liderët në Kosovë e Serbi t’i ulin tonet e të mos flasin për luftën, por këto thirrje s’kanë kryer punë.
Albin Kurti, njejtë si Aleksander Vuçiç, para disa ditësh, prap ka folur për potencialitetin e luftës në një intervistë të tij në CNN.
Kjo ishte hera e tretë në më pak se dy muaj që kryeministri i Kosovës flet për mundësinë e një lufte në mes të Kosovës dhe Serbisë në një medium ndërkombëtar./Express