Bashkimi Evropian beson se rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus që ndodhën gjatë kësaj jave, “nuk janë rastësi”, por ka tregues se janë “akte të qëllimshme”, tha shefi i diplomacisë së bllokut, Josep Borrell.
Duke shprehur “shqetësim të thellë” për rrjedhjet në Rrjedhën Veriore 1 dhe 2, ai bëri thirrje për hetim.
Borrell shtoi se “të gjitha informacionet e deritanishme lënë të kuptohet se këto rrjedhje janë si rezultat i akteve të qëllimshme”.
Deklaratat e Borrellit vijnë pasi sizmologët nga Suedia dhe Danimarka thanë se kanë regjistruar shpërthime të fuqishme në zonat afër ku ka pasur rrjedhje nga tubacionet e Rrjedhës Veriore në Detin Baltik. Policia suedeze ka nisur hetim për një sabotim të mundshëm.
“BE-ja është thellësisht e shqetësuar lidhur me dëmin që kanë shkaktuar rrjedhjet nga gazsjellësit Rrjedha Veriore 1 dhe 2 në ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik”, tha Borrell.
“Këto incidente nuk janë aspak të rastësishme dhe na prekin të gjithë ne”, shtoi ai.