Deputetja Albana Vokshi ka folur sot pas daljes nga seanca gjyqësore, e paditur nga ministrja e Arsimit Evis Kushi, për një padi për tezat e provimit të maturantëve të cilat dolën para provimeve, duke e cilësuar si shpifje. Deputetja tha se Kushi nuk u paraqit dhe se denoncimi që ka bërë është i vërtetë.
“Ishte seanca e parë që shqyrtoheshin provat që kishte sjellë përfaqësuesi i Kushit e cila edhe sot nuk u paraqit.
Unë kam vendosur të vij personalisht në respekt të kohës dhe financave që po vënë në dispozicion kjo gjykatë për një çështje politike, për të mbyllur gojën time dhe të kolegëve të opozitës.
U vërtetua që koha i ka dhënë të drejtë mësueses që ka denoncuar në skandalin e vlerësimit para universitar. Kishte vetëm disa shkrime që kishin publikuar statusin pas denoncimit që ka bërë mësuesja.
Paraqita provat e mia, mesazhin që më ka ardhur nga një mësuese nga Elbasani, dhe vetëm fjalia e parë e këtij sms, ‘dua të denoncoj një skandal, por mos më nxirrni emrin se më heqin nga puna’.
Kjo të bën të mendosh dhe kuptosh që mësuesit sot nuk flasin dot dhe janë të kërcënuar, dhe gjejnë mënyrën për të denoncuar një skandal në rastin konkret tek unë. E kam bërë publik duke iu referuar edhe në statusin tim, tekstit të mësues.
Ministrja në vend që të krijonte grup pune dhe të hetonte dhe të vinte para përgjegjësisë ata që kishin nxjerrë testet, më paditi në gjykatë”, tha ajo.