Nuk ka asnjë tërheqje. Edi Rama tha pas mbledhjes së sotme të qeverisë se drafti i amnistisë fiskale do të miratohet.
“Ne nuk jemi tërhequr por po vazhdojmë të diskutojmë dhe dëgjojmë për të sheshuar të gjitha moskuptimet, keqkuptimet. Amnistia fiskale do të bëhet. E kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve” tha Rama.
Një përgjigje e kishte për opozitën dhe disa prej ambasadorëve që janë shprehur kundër kësaj nisme.
“Nëse sot në atë parti kemi në krye jo formalisht, por de facto një person të shpallur non grata për të gjitha të zezat nga SHBA.
Dhe nëse me radhë mund të marrim të tjerë që vazhdojnë të jenë në skenë, të pretendojnë të marrin vota. Atëherë kush jemi ne? Me cfarë të drejte të privojmë shqiptarët që formalizojnë të ardhurat e tyre nga puna në të zezë në vendet e huaja.
Pse? Kush jemi ne t’i paragjykojmë. Kush janë ata që thonë se Shqipëria nuk mund ta bëjë këta, sepse shqiptarët janë kriminelë?
Atyre s’u vendos faj, sepse këtë ia kemi bërë ne vetes që politikanët nuk kanë lënë për të nxirë imazhin për të luftuar kundërshtarin” tha ai.
Kryeministri Edi Rama pritet të ketë nesër një takim pune me ambasadorët lidhur me draftin për amnistinë fiskale.