Në Shqipëri, disa lëvizje në nivelet e drejtuesve politikë të qarqeve të Partisë socialiste, të kryera nga mbledhja e kryesisë së saj të martën, lanë jashtë, edhe funksioneve në parti, ish zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj.
Atij i ishte besuar deri më tani drejtimi i qarkut të Vlorës, pozicion të cilin e mori Blendi Klosi. Ndryshime pati dhe në qarkun e Shkodrës, ku ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e sipërmarrjes, Edona Bilali u zëvendësua nga një tjetër ministre Shteti, ajo për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali.
Ndërsa në Kukës, Safet Gjici, do të zëvendësohet nga zoti Pandeli Majko, të cilin në zgjedhjet e një viti më parë, kryetari socialist Edi Rama, njëheraz kryeministër, e la jashtë zonës së sigurt për deputet.
Ahmetaj, ka qenë një prej figurave ndoshta më jetëgjatë si pjesë e qeverive socialiste që nga 2013.
Ai ka mbuluar funksione të ndryshme nga ministri i Ekonomisë, te ai i Financave, me një ndërprerje në vitin 2019, kur ju rikthye jetës parlamentare, për t’u përfshirë sërish në kabinetin qeveritar pas tërmetit të nëntorit të po atij viti. Emri i tij, ka qenë ndër më të lakuarit nga opozita për përfshirjen në çështjen e inceneratorëve./ VOA