Gjermania tha të enjten se do të investojë 200 miliardë euro për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e kostove të energjisë, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.
“Qeveria gjermane do të bëjë gjithçka që çmimet të bien”, tha kancelari Olaf Scholz. Ai njoftoi se paketa përfshinë vendosjen e një çmimi tavan për gazin dhe një plan për të hequr fitimet e papritura të kompanive të energjisë, të cilat janë goditur pak nga rritja e çmimeve të gazit.
Fondi prej 200 miliardë eurosh është krijuar për tu siguruar që Gjermania mund të përballet me pasojat e rritjes së çmimeve “këtë dhe vitin e ardhshëm, dhe atë pas tij”, tha Scholz.
Gjermania, e cila ka qenë shumë e varur nga importet e lëndëve fosile djegëse nga Rusia për të plotësuar nevojat e saj energjetike, është vënë nën stres pasi furnizimet nga Moska po pakësohen.
“Ne e gjejmë veten në një luftë energjetike mbi mirëqenien dhe lirinë”, tha ministri i Financave, Christian Lindner.
Vendosja e kufirit për çmimin e gazit duhet të mbulojë “të paktën një pjesë” të gazit të përdorur nga familjet dhe bizneset, duke “ruajtur thirrjen për të reduktuar përdorimin e gazit” gjatë dimrit, pasi furnizimet janë të kufizuara, tha qeveria në një deklaratë.
Në të njëjtën kohë, qeveria do të punojë për të kufizuar çmimin e energjisë elektrike për konsumatorët, duke hequr fitimet e marra nga kompanitë energjetike që kanë përfituar nga rritja e çmimeve të gazit, por që nuk përdorin burimin e energjisë për të prodhuar energji.
Gjermania ka thënë gjithashtu se ka në plan të mbajë në funksion dy centralet bërthamore edhe në çerekun e parë të vitit 2023, për të mbështetur rrjetin elektrik./REL