Deputeti I LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur disa pikëpyetje për menaxhimin e krizës në Kosovë.
Ai i është drejtuar qeverisë, duke theksuar se duhet të informojë qytetarët se sa pritet të jetë prodhimi i energjisë në KEK, dhe sa duhe të ketë import gjatë dimrit.
“Kaosi në menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e ka rritur panikun tek qytetarët. Një qeveri e përgjegjshme duhet të informojnë qytetarët në detaj.
-Sa pritet të jetë prodhimi i energjisë nga KEK-u gjatë dimrit?
-Sa duhet importuar energji për të plotësuar kërkesën vendore?
-Sa buxhet duhet ndarë për import të asaj energjie?
-A mund të lidhen tani kontrata për blerje të energjisë?
-Sa energji i kemi dhënë Shqipërisë deri më tani në mënyrë që të marrim nga ta gjatë dimrit?
Hoti ka thënë se qeveria Kurti nuk ka ide se me çfarë do të përballen qytetarët dhe u tregojnë japonezëve se sa ka qenë rritja e ekonomisë në Kosovë.
“Këta nuk kanë ide se me çfarë do të përballemi. Kujtojnë se me ta nis historia dhe e nisin nga e para strategjinë e energjisë.
Tregojnë dogma para partnerëve ndërkombëtarë. U tregojnë japonezëve sa ka qenë rritja në Kosovë dhe i ftojnë të investojnë, por në anën tjetër në media ndërkombëtare e përmendin çdo ditë mundësinë për luftë në Kosovë.
E anulojnë projektin strategjik të gazit për inate politike, i cili për tri vite do të shtonte kapacitet energjetike”, ka shkruar Hoti.