Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme në fushëbetejën ukrainase, SHBA ka fituar një betejë domethënëse nga pikëpamja simbolike kundër Rusisë, ku territori për t’u mbrojtur është ai virtual i internetit dhe në përgjithësi të komunikimit digjital.
Të enjten, Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), një agjenci pjesë e Kombeve të Bashkuara, votoi për zgjedhjen e sekretarit të saj të përgjithshëm.
Kandidatja amerikane, Doreen Bogdan-Martin, mori 139 nga 172 votat totale, duke mundur në mënyrë të qartë rivalin rus Rashid Ismailov i cili mori vetëm 25, dhe duke hyrë në histori si gruaja e parë që mban postin e kësaj agjencie ndërkombëtare, nga më të vjetrat në botë, pasi është krijuar në vitin 1865, shumë dekada para vetë konceptit të OKB-së, të cilës i është atashuar më vonë.
Por fitorja e Bogdan-Martin vjen edhe si fitorja e një qasje operimi në hapësirën digjitale. Koncepti i një interneti të lirë dhe të hapur për të gjithë kundërshtohet me vendosmëri nga shtete si Kina dhe Rusia, që propozojnë që të jetë shteti rregullator që modelon hapësirat e mundshme për shtetasit e saj, zyrtarisht për të mbrojtur sigurinë kombëtare, në fakt për të kufizuar mundësinë e disidencës kundër regjimeve autokratike ose kryekëput diktatoriale.