Kryeministri Rama, në vijim të bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, u shpreh se sot, shqiptarët 95 për qind të shërbimeve i kanë online dhe nuk sorollaten më nëpër dyert e institucioneve duke u shtyrë me njëri – tjetrin për të marrë një shërbim.
Rama: Përsa i përket shërbimeve, sot 95 për qind të shërbimeve e ke online. Dikur po, sorollateshe derë më derë, shtyheshe me bërryla përmes njerëz që luftonin për të marrë një kartelë mjekësore, apo një certifikatë. Sot nuk rri në shi për të paguar dritat, apo faturën afrofe të atyre që ta sillnin te dera.
Pyetje: Pas 3 mandatesh u kujtove që ka ndërtime pa leje?
Rama: Jo more zotëri më ka rënë ndërmend edhe para tre mandateve, që kur isha Kryetar Bashkie dhe nëse sot ke një Tiranë me aq gjelbërim dhe hapësira publike, është se më ka ardhur ndërmend para tre mandateve.
Pyetje: Me çmimet e ke menderosur komplet. Bëj ndonjë lëvizje…
Rama: Sikur të ishte një situatë që e kemi vetëm ne do të thosha që: Mirë diçka nuk shkon me ne. Por, inflacionin nuk e kemi sjellë ne, por e ka sjellë lufta. Dhe ne po bëjmë çmos ta lehtësojmë këtë inflacion duke hedhur para për të gjitha shtresat. Kemi rritur pensionet, kemi rritur ndihmën ekonomike për gratë kryefamiljare. Kemi rritur mbështetjen për PAK, për të gjithë punonjësit e administratës, për punonjësit e policisë, ushtrisë e kështu me radhë. Ky është një moment kur të gjithë duhet të jemi mirëkuptues.