Në kuadër të 1 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare e të Moshuarve, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ditën e sotme për gjendjen e të moshuarve në vendin tonë.
Meta shkruan se personat e grup-moshës së tretë janë më të rrezikuarit për të përfunduar drejt varfërisë ekstreme si rezultat i kësaj situate të vështirë. Ai thekson se rritja e pensioneve është një detyrim madhor që duhet të realizohet.
POSTIMI I PLOTË
1 Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve. Qëllimi i kësaj dite për të rritur sensibilizimin për më shumë përkujdesje për personat e moshës së tretë, ka një rëndësi akoma dhe më të madhe për vendin tonë këtë vit, pasi të moshuarit në Shqipëri janë ata që po goditen më shumë nga rritja e kostos së jetesës. Pensionet e ulëta janë të pamjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore, aq më tepër të medikamenteve apo shpenzimeve mjekësore. Personat e grupmoshës së tretë janë më të rrezikuarit për të përfunduar drejt varfërisë ekstreme si rezultat i kësaj situate të vështirë. Të moshuarit në Shqipëri meritojnë një trajtim dinjitoz dhe jo paketa lëmoshe dhe qesharake të Qeverisë për përballimin e krizës së çmimeve. Rritja e pensioneve është një detyrim madhor për brezin e moshës së tretë.