Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i pranishëm në konferencën rajonale të ministrave të financave dhe guvernatorëve të rajonit, që po zhvillohet në Budva në Mal të Zi, tha se vendi, ashtu si gjithë rajoni po vuan nga inflacioni i lartë.
Guvernatori e theksoi disa herë që Banka e Shqipërisë po e monitoron me kujdes situatën në mënyrë që të zvogëlojnë rrezikun, që mund t’i vijë ekonomisë nga normat e larta të interesit.
“Ne kemi hyrë në një periudhë të inflacionit të lartë dhe po përpiqemi ta parandalojmë atë pa ndikuar negativisht ekonominë.
Po ndryshojmë politikën monetare duke rritur normat e interesit gradualisht që të mos dëmtojnë ekonominë, por nuk mund të bëjmë kompromis me stabilitetin e çmimeve.
Pavarësisht rreziqeve kemi besim se sektori financiar është shumë i qëndrueshëm, bankat kanë likuiditet, treguesit e mjaftueshmërisë së kapitalit janë në nivele të larta”.
Një tjetër shqetësim është nëse kjo situatë do të ndikonte në zhvlerësimin e monedhës vendase. “Për momentin kemi forcim të monedhës së vendit për shkak të rritjes së investimeve të huaja dhe valutës që vjen nga turizmi.
Por nëse ndodh e kundërta do të jetë një problem për shkak të nivelit të lartë të euroizimit të ekonomisë.
Për këtë ne filluam të zbatonim disa vite më parë një program të deuoriozimit, që nuk synon që të shmangë euron, por të ulë përdorimin e saj aty ku është e panevojshëm“ tha ai.