Disa detaje të reja janë zbuluar nga tragjedia e ndodhur gjatë një ndeshje futbolli në Indonezi.
Mes 174 viktimave, ministria për Mbrojtjen e Fëmijëve ka raportuar se ka pasur dhe 17 të mitur të moshës 12-17 vjeç, po ashtu 7 të tjerë janë plagosur rëndë.
Më konkretisht, pas përfundimit të ndeshjes mes Arema dhe Persebaya për kampionatin kombëtar dhe humbjes së parë me rezultatin 3-2, mijëra tifozë të vendasve pushtuan fushën e “Kanjuruhan Stadium”, ku u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur.
Në panikun që u shkaktua, shumë njerëz u shkelën nëpër këmbë, ndërsa qindra fansave u ra të fikët. Përplasjet mes tifozëve dhe policisë kanë vazhduar, ndërsa stadiumi është kthyer në një zonë lufte. Përleshjet trup me trup vazhduan edhe jashtë fushës, ku disa persona humbën jetën.