Për personat që duan të kenë sukses në karrierë dhe gjatë gjithë kohës janë në kërkim të avancimit, stagnimi profesional mund të jetë shqetësim i madh. Pavarësisht që ata fillojnë me ëndrrën e madhe për të pasur sukses në jetë (në mënyrë se si ata e përkufizojnë suksesin), disa ngecin nganjëherë.
Cilat mund të jenë arsyet për këtë?
Vlerë e ulët
Gjatë gjithë kohës duhet t’ia shtoni vetes vlerën. Si ta bëni këtë? Përmes sa më shumë kualifikimeve akademike, rritjes së përvojës dhe shtimi i aftësive në fushën që e keni zgjedhur.
Jeni duke e mbështetur ekipin e gabuar
Lideri i vërtetë ka një dëshirë të madhe t’i shoh të gjithë anëtarët e ekipit të tij të rriten në karrierë, në të kundërtën do ta shohë si dështim të vetes. Epo, mbase ju nuk bëni pjesë në ekipin e këtij udhëheqësi.
Nuk besoni mjaftueshëm
Po, është e vërtetë që lidhjet e mira ju bëjnë më të kërkuar, por kush ju ka thënë që pa ato lidhje nuk mund të gjeni punë të mirë?! Mos prisni që të ndodhë magjia, që një ditë dikush t’ju troket në derën tuaj! Kjo është shenjë e frikës e frika e sjell stagnimin.
Ndiheni rehat para kohës
Një prej arsyeve më të qëndrueshme të stagnimit në karrierë është kur hyni në botën e rehatisë. Në këtë gjendje nuk do ta merrni mundin të merrni rreziqe, gjersa të tjerët do ta bëjnë pa problem. Për kë do të jetë trofeu i suksesit, për ata të cilët vijnë me ide të reja dhe tregojnë zell në punë, apo për ju që po ndiheni rehat ashtu siç jeni?
Qëllime në ajër
Vendosja e qëllimeve është vendimtare për të pasur sukses në karrierë. Por, edhe qëllimet duhet ta kenë një rrjedhë logjike, pra të mos jenë “ëndërrime me sy hapur”.