Zvicra ka probleme sistematike me racizmin kundër personave me prejardhje afrikane, thuhet në një raport të prezantuar më 3 tetor nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara. Raporti përfshin shumë shembuj, nisur nga brutaliteti policor e deri te lojërat e fëmijëve.
Grupi i emëruar nga OKB-ja tha se ka edhe masa pozitive që Zvicra ka ndërmarrë, por shprehu shqetësimin për përhapjen e diskriminimit racor, duke theksuar disa incidente, pasi anëtarët e grupit vizituan Zvicrën gjatë këtij viti.
“Përhapja dhe mosndëshkimi tregon se ekziston një problem sistematik”, u tha në raport.
Ambasadori i Zvicrës në OKB gjerësisht pranoi gjetjet e raportit, përmes komenteve që i dorëzoi në Këshill, edhe pse tha se ekspertët kishin përdorur “numër të kufizuar të shembujve” për të ardhur në këto përfundime.
Në raport u tha se ka përpjekje për të rritur vetëdijen e publikut lidhur me aspektet e historisë zvicerane, sikurse një peticion dhe debat i bërë lidhur me heqjen e një statuje të një bankieri që kishte krijuar pasuri duke shfrytëzuar skllevërit afrikanë, në kantonin e Noshetelit.
Ekspertët e OKB-së thanë se fëmijët zviceranë ende luajnë lojëra sikurse “kush frikësohet nga njeriu me ngjyrë”, që sipas tyre, lojëra të tilla kanë efekte diskriminuese në aspektin racor./REL