Sot Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka dhënë të drejtë prokurorit Besnik Cani që u shkarkua në KPA nga një trupë e përbërë nga Luan Daci.
Por si erdhi çështja deri te vendimi i Strasburgut?
Prokurori Cani u konfirmua fillimisht në detyrë më 27 nëntor 2018, nga KPK. Dy javë më vonë, ai u zgjodh anëtar i KLP-së. Vendimi i konfirmimit në detyrë u ankimua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) dhe Komisioneri Publik.
Cani njësoj si prokurorja Sevdari iu drejtua gjykatës më të lartë të Evropës, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke pretenduar se iu mohua e drejta për një gjykim të drejtë, pjesërisht për shkak të zgjedhjes së paligjshme të Dacit.
Në janar të vitit 2020, anëtari i KLP-së, Besnik Cani paditi anëtarin e KPA-së Luan Daci në SPAK, bazuar në të njëjtat argumente të bëra më parë nga Sevdari: ai ishte larguar nga funksioni i tij si gjyqtar, dhe ishte zgjedhur në shkelje të ligjit të vetingut, duke falsifikuar dokumentet dhe duke e fshirë nga jetëshkrimi i tij këtë fakt.
SPAK-u filloi menjëherë hetimin dhe zbuloi atë që ishte e qartë: Daci është zgjedhur në bazë të të dhënave fallso dhe për këtë arsye ai, tashmë, është pezulluar nga KPA-ja dhe dënuar.
Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi me 6 muaj burg ish-anëtarin e KPA-së, Luan Daci me 8 mars 2021, për falsifikim dhe fshehje të dokumenteve të aplikimit. Dënimi u konvertuar në një vit shërbim prove dhe kushtin që mos ushtrojë funksione publike.
Vendimi i sotëm është një precedent i rrezikshëm pasi mund të rrëzohen dhe të mos njihen të gjitha vendimet që janë gjykuar me një trupë që ka pasur në përbërje Luan Dacin.