Është zhdukur së bashku me të bijën gazetarja ruse që protestoi për luftën në Ukrainë. Mësohet se, Marina Ovsyannikova, ka thyer masën e sigurisë të ‘arrestit shtëpiak’ dhe është zhdukur bashkë me të bijën.
Ishte ish burri i saj që e akuzoi se kishte marrë dhe vajzën me vete. Por avokati i saj, Dmitry Zakhvatov, tha se ai nuk mund t’i konfirmonte ato akuza. Ovsyannikova është shtuar në “listën e të kërkuarve” të Ministrisë së Punëve të Brendshme ruse.
Gazetarja 44-vjeçare u bë e njohur në mars kur, si redaktore në stacionin televiziv të kontrolluar nga shteti rus, Channel One, ajo qëndroi pas një spikere dhe mbajti një tabelë ku shkruhej “Jo luftë” gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë. Ajo donte t’i tregonte botës se shumë rusë janë kundër pushtimit.