Paketa e re e sanksioneve kundër Rusisë, e përgatitur nga Bashkimi Evropian, do të përfshijë dhe Serbinë, për shkak të qëndrimit të Beogradit ndaj Moskës zyrtare.
Kjo praktikisht do të thotë se, siç thuhet në paketën e 6-të të sanksioneve të BE-së, nga 1 nëntori Serbia nuk do të mund të furnizohet me gazsjellësin e Adriatikut, gjë që vë në pikëpyetje çmimin në tregun vendas, si dhe zgjedhjen e rrugë alternative të furnizimit.
“Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, prandaj nuk duhet të përfitojë nga derogimi. Me këtë qëndrim u pajtuan edhe vendet e tjera anëtare (BE), tha një burim diplomatik i cili ishte i përfshirë në diskutimet për pakon e re të sanksioneve”, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kujtojmë se në draftin e parë të propozimit për këtë paketë sanksionesh, Ballkani Perëndimor ishte i përjashtuar nga kufizimet lidhur me importin e naftës bruto ruse.
Në atë propozim thuhej se është e nevojshme të parashikohet një derogim për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të mbrojtur sigurinë energjetike të rajonit.
Fillimisht është dashur të mundësojë kalimin e naftës bruto ruse përmes tubacionit përmes Kroacisë, me kusht që ky tranzit të mbetet brenda kufijve të niveleve mesatare të viteve të mëparshme.
Çfarë është JANAF?
Tubacioni i Adriatikut u ndërtua në vitin 1979, kur cisterna e parë e naftës bruto mbërriti në terminalin Omišalj në ishullin Krk. Në atë kohë ishte pjesë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. JANAF shpërndan naftë për nevojat e rafinerive në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke./REL