Sot është afati i fundit që do të duhej të ekzekutoheshin pagat për mësimdhënësit.
Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar që nëse nuk ekzekutohen, do të ndërmarrin masa të tjera.
Ministria e Arsimit ka propozuar pagesë avancë për mësimdhënësit që i zëvendësojnë orët e humbura.
Edhe sot mësimdhënësit e Kosovës presin që të ekzekutohen pagat e tyre për muajin shtator dhe nëse kjo nuk ndodh, sindikalistët kanë deklaruar se do të ndërmarrin masa të tjera.
Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se ky vendim është hakmarrje ndaj Sindikatës, ndërsa theksoi se do të vendosë anëtarësia për veprimet e mëtutjeshme.
Ministria e Arsimit i ka propozuar asaj të Financave që të shqyrtojë një metodë tjetër të pagesës për mësimdhënësit që s’janë paguar për muajin shtator, për shkak të grevës.
Sipas propozimit të ri, mësimdhënësit do të paguhen për orët që i zëvendësojnë. Pagesa është propozuar të bëhet avancë në tetor, thuhet në komunikatën e MASHTI-t.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë për Radio Kosovën se mosekzekutimi i pagave për grevistët është në kundërshtim me ligjin dhe është persekutim ndaj grevistëve. Ai tha se nëse nuk ekzekutohen pagat për grevistët, atëherë secili prej tyre ka të drejtë të paraqesë padi në gjykatë.
“Lirisht mund të konsiderohet si persekutim i Qeverisë jo vetëm ndaj Sindikatës, grevistëve e mësimdhënësve, por ndaj një të drejte të garantuar me Kushtetutë, që lidhet me lirinë e asocimit si dhe me atë që garanton ligji për të drejtën për grevë.
Me vetë faktin që anëtarësia brenda vitit për sindikatë është rreth 700 mijë euro në vit, e bën në një farë mënyre të pamundur që Sindikata të paguajë grevistët.
Sigurisht që Qeveria nuk mund të dalë jashtë qëllimit të ligjit, duke ua pezulluar ose mos ekzekutuar pagat grevistëve.