Dje në mbledhjen e Grupit të PD, Sali Berisha i shtriu dorën edhe pjesës tjetër të deputetëve të PD-së, që pikërisht depozituan draftin e tyre me 94 bashki që të ulen për të bashkërenduar me një dokument.
“Sot (dje) dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki.
Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur këtu dhe është më i thelluar në çdo aspekt, le të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, i cili të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë” tha ai.
Aleati tradicional i Partisë Demokratike, kreu i PR-së, Fatmir Mediu, ka nisur një lëvizje për të krijuar përfaqësi nga të dy kampet brenda opozitës që të shërbejë jo vetëm për draftin final për ndarjen territoriale por që të nisin dialogun që në zgjedhjet e ardhshme lokale opozita të dalë me një kandidat të përbashkët në të gjitha bashkitë.