Forcat e IKMT po shembin një banesë në Shkozë, ndërsa familjarët po bëjnë rezistencë dhe janë mbyllur brenda në mënyrë që të bllokojnë punimet.
Banesa në pronësi të Andrea Sulit, që ka nisur të ndërtohet në vitin 1998.
Për tokën ka certifikatë pronësie, por për godinën nuk ka. Shembja e banesës bëhet për t’i hapur rrugë projektit të Unazës së Madhe ndërsa janë dhe 10-15 shtëpi të tjera që janë parashikuar të shemben.
Pronari i banesës thotë që nuk është dëmshpërblyer. Për shembjen e banesës është njoftuar dy javë më parë, ndërsa mobiljet nuk i ka nxjerrë nga shtëpia. Banorët kërkojnë strehim dhe shpronësim për banesat e tyre.
Protestat e mëhershme
Kujtojmë se më herët, devijimi i projektit të unazës së madhe, ka nxjerrë në protestë edhe banorët e Paskuqanit, ku pritet të shemben 100 banesa.
Banorët thonë se kanë aplikuar për të marrë titullin e pronësisë që prej vitit 2006, por Hipoteka ua ka refuzuar. Këtë të mërkurë vendosën të bllokojnë rrugën, pasi sipas tyre dhe devijimin e projektit e kanë mësuar në rrugë jo zyrtare
Protestës ju bashkuan edhe disa fëmijë, ndërsa nuk munguan as përplasjet me policinë. Pas bllokimit të rrugës për disa minuta u desh ndërhyrja e efektivëve të policisë për të bërë të mundur lehtësimin e qarkullimit të automjeteve. Banorët e Paskuqanit, thanë se protestën e radhës do ta mbajnë këtë të enjte para parlamentit.