Dy rusë që thanë se janë arratisur për t’i shpëtuar shërbimit të detyruar ushtarak kanë kërkuar azil në Shtetet e Bashkuara, pasi mbërritën në një ishull të largët të Alaskës, në Detin Bering, njoftoi të enjten zyra e Senatores së Alaskës, Lisa Murkowksi.
Karina Borger, zëdhënëse e Senatores Murkowski, njoftoi se zyra e saj ka qenë në kontakt me Shërbimin e Rojes Bregdetare të Shteteve të Bashkuara si dhe atë të Mbrojtjes së Kufirit dhe Doganave dhe se dy shtetasit rusë thanë se u larguan nga një komunitet bregdetar në bregun lindor të Rusisë për të shmangur shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
![](/wp-content/uploads/2022/10/54545-770x439-1.jpg)
Senatorët e Alaskas, republikanët Murkowski dhe Dan Sullivan, thanë të enjten se individët mbërritën në brigjet e Gambellit, një komunitet i izoluar me rreth 600 banorë, në ishullin St. Lawrence.
Një zëdhënës i Senatorit Sullivan, Ben Dietderich, tha se zyra e tij ka informacion se individët kishin mbërritur në rrugë detare. Gambell gjendet rreth 320 kilometra në jugperëndim të komunitetit Nome, të Alaskës, dhe rreth 58 kilometra pranë Gadishullit Chukotka, të Siberisë./VOA