Policia e Kukësit ka arrestuar një 53-vjeçar pasi theu arrestin e shtëpisë dhe u kap në flagrancë duke transportuar emigrantë kundrejt fitimit. Gjithashtu është shpallur në kërkim edhe i biri 18-vjeç që e shoqëronte.
18-vjeçari transportonte me një automjet tip furgon, kundrejt fitimit, 59 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, por ai ka mundur të largohet, duke përfituar nga errësira.
Gjithashtu raportohet se 53-vjeçari i arrestuar ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë, duke iu ofruar rreth 2000 euro, me qëllim që të mos kryenin veprime procedurale.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën 11460 euro dhe 5000 lekë, të dyshuar të përfituar në këtë veprimtari kriminale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.