Një operacion është zhvilluar nga Policia në Krujë, për goditjen e një rrjeti që merrej me kultivimin e bimëve narkotike. Pesë janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa janë sekuestruar miliona lekë, drogë e gatshme dhe mbi 1,300 rrënjë kanabis.
U arrestuan Artan Elezaj 35 vjeç, Ahmet Elezaj 41 vjeç ( vëllezër) Sokol Xaka 24 vjeç, G. Ll. 36 vjeç dhe Përparim Kasa 47 vjeç.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Muharrem Xaka, 26 vjeç (vëllai i shtetasit të arrestuar Sokol Xaka) dhe Bilal Afmeti 37 vjeç.
Nga hetimet rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar në kohë dhe në ambiente të hapura të ndryshme, 1353 bimë narkotike, në zona të pyllëzuara të fshatit Bruz Mal, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar përgjatë periudhës hetimore.
Në vijim të kontrolleve në kuadër të operacionit “Survey”, në banesën e të arrestuar G. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 5.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis e gatshme për shitje.
Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2,450,000 lekë, 4,000 euro, 9 aparate celulare, 4 automjete dhe 1 armë gjahu, të dyshuara të përfituara apo të përdorura për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.