Një zyrtar i lartë në Zaporizhja, qytet jugor në Ukrainë, ka thënë se raketat e lëshuara nga forcat ushtarake ruse përgjatë natës, kanë lënë të vdekur 17 persona.
Sekretari i Këshillit të qytetit, Anatoliy Kurtev, ka thënë më 9 tetor se pesë shtëpi janë shkatërruar dhe rreth 40 janë dëmtuar në zonën e kontrolluar nga ushtria ukrainase në këtë qytet.
Zaporizhja është aneksuar javën e kaluar nga Rusia, hap që është konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, nga autoritetet ushtarake ukrainase, në rajonin e Zaporizhjas janë parë dëme të mëdha në ndërtesat e banimit.
Zaporizhja është sulmuar me armë të rënda edhe më 6 tetor, si pasojë e të cilave kanë vdekur 11 njerëz.
Për sulmet e reja është raportuar pas shpërthimit të fuqishëm në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.
Kjo urë është ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit më 2014 dhe konsiderohet simbol i kontrollit të Rusisë mbi këtë territor.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka lëshuar një dekret përmes së cilit urdhëron Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që të marrë kontrollin e sigurisë në Urën e Krimesë dhe infrastrukturës tjetër të rëndësishme në Gadishullin e Krimesë.
Prej shpërthimit të së shtunës, në rrjetet sociale kanë shpërthyer festimet nga ana e ukrainasve.
Në javët e fundit, forcat ushtarake të Kievit kanë çliruar vendbanime të shumta, të cilat i kanë kontrolluar forcat ruse prej nisjes së luftës./REL