Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të martën se “Ukraina është në vrullin e luftës” kundër Rusisë, dhe se aleanca perëndimore do të jetë me Kievin sa të ketë nevojë.
“Ndonëse Rusia është duke rritur numrin e sulmeve të tmerrshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike, presidenti (rus, Vladimir) Putin është duke dështuar në Ukrainë”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media.
Ai shtoi se NATO-ja do të kryejë ushtrimet vjetore për mbrojtje bërthamore javën tjetër, dhe se është duke vëzhguar nga afër forcat bërthamore të Rusisë.
“Nuk kemi parë ndonjë ndryshim në pozicionet e Rusisë, mirëpo ne jemi vigjilentë”, ka shtuar ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka nënshkruar ditë më parë dekretet për aneksim të katër rajoneve ukrainase – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson.
Ai ka thënë më pas se do t’i konsiderojë sulmet në këto territore si sulme ndaj vetë Rusisë dhe do të përdorë të gjitha mjetet për t’i mbrojtur ato.