Në mbyllje të raundit të dytë të regjistrimeve në universitet, nga rreth 6 mijë maturantë që ishin në garë janë regjistruar 4000 mijë. Disa degë të shkencave të Natyrës, vijojnë të mbeten shqetësuese. Në këtë raund në fizikë janë regjistruar vetëm 3 kandidatë, duke e çuar numrin total në 9 studentë.
Sipas drejtorit të rrjetit akademik shqiptar vihet re një rritje e numrit të studentëve që kanë zgjedhur universitetet private.
“70% kanë shkuar në universitetet publike dhe 30% në universitet private me një rritje të lehtë për universitetet private. Këto vitet e fundit ka qenë përgjithësisht 75-25”, është shprehur drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj në Klan.
Maturantët që nuk kanë fituar ende asnjë degë kanë mundësi të aplikojnë në raundin e tretë, i cili nis më 19 Tetor.
“Do të jetë më e shkurtër si koha e aplikimit ashtu dhe koah e regjistrimit, do kemi vetëm tre faza regjistrimi dhe nëse brenda të tre fazave të regjistrimit përsëri ka maturantë që nuk kanë arritur të regjistrohen, kanë mundësi të shkojnë dhe në universitetet e tjera ose fakultetet e tjera ku nuk kanë aplikuar me formularin A2 dhe të kërkojnë të regjistrohen kur shikojnë se ka akoma kuota të lira”, është shprehur Arjan Xhelaj.
Deri më tani në universitet janë regjistruar rreth 19 mijë studentë të cilët do të nisin vitin e akademik më 17 Tetor.
REGJISTRIMET NE UNIVERSITET
Raundi I 15,300 studentë
Raundi II 4,000 studentë
REGJISTRIMET NE FNSH
Fizikë 9 studentë
Kimi 11 studentë
Matematikë 25 studentë