Parlamenti turk ka vendosur të dënojë me burg shpërndarjen e lajmeve të rreme në media dhe media sociale, me një vendim të prerë ligjor, i cili ndalon shpërndarjen e dezinformimit.
Kjo, pavarësisht shqetësimeve të mëdha se në këtë mënyrë, mund të cenohet liria e medias dhe e fjalës së lirë.
Deputetët opozitarë në Turqi, si edhe shtete perëndimore, kanë kërkuar që një ligj i tillë të mos kalohet në Parlament, por zëri i tyre ka rënë në vesh të shurdhët.
Shumica e drejtuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, ka qenë e vendosur në marrjen e vendimit dhe së bashku me grupimin e aleatëve nacionalistë, MHP, e ka kaluar draftin ligjor.
Sipas këtij akti, çdo person, i cili krijon frikë dhe panik në rendin publik (duke nënkuptuar fabrikimin e lajmeve të rreme të shpërndara në rrjet), do të dënohet nga një deri në tre vite burgim.
Prej kohësh, çështja e lirisë së medias në Turqi është kthyer në shqetësim, me raportime të shumta për gazetarë të dhunuar dhe të burgosur mbi publikimin e lajmeve kundër presidentit Erdogan apo Qeverisë së tij.
Komisioni i Venecias, po ashtu, ka shprehur mendimin duke e quajtur “shqetësues” ligjin dhe me rreziqe potenciale për të nxitur auto-censurën në popullatë.