dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të enjten se Kosova dhe Serbia nuk duhet të shpërdorojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian në vitin 2024.
Ai i bëri këto komente pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Prishtinë, ku tha se është diskutuar për rrugën përpara drejt këtij normalizimi, çështjen e energjisë dhe të targave të makinave. Zoti Lajçak tha se të hënën do të qëndrojë në Beograd për të diskutuar për këto çështje me udhëheqësit e Serbisë.
Ai tha se situata politike në vendet euro-atlantike është shumë e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk jemi të shpërqendruar nga zgjedhjet dhe kemi aleancë unike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, mbështetje të fortë nga Mbretëria e Bashkuar, të gjithë janë të përqendruar në dialog dhe të gjithë presin që dialogu të prodhojë normalizim”, tha ai.
Lajçak tha se nuk ka një afat të caktuar për marrëveshjen.
“Nuk do të thosha që viti tjetër është vendimtar, por e kam thënë më shumë se një herë se e kemi këtë dritare mundësie që do të zgjasë deri në zgjedhjet evropiane dhe amerikane në vitin 2024. Mendoj që është përgjegjësia jonë që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi”, tha zoti Lajçak.