Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Shchneeberger, ka thënë se Bashkimi Evropian po gjen vazhdimisht arsyetime të reja për heqjen e vizave për kosovarët.
“Gjithmonë arsyetime të reja për të vazhduar diskriminimin ndaj Kosovës në drejtim të liberalizimit të vizave. Këtë herë është ETIAS ai që do të lidhet me liberalizimin e vizave të Kosovës. Kjo nuk duhet të vazhdojë kështu”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ky reagim i Shchneeberger vije pasi Franca ka vënë përsëri kushte të reja.
Në takimin punues të Këshillit të Bashkimin Evropian i mbajtur këtë të enjte, pas dyerve të mbyllura, Franca ka kërkuar që Kosova të funksionalizojë sistemin për siguri në Evropë, ETIAS.
Burime të Radio Evropa e Lirë brenda takimit kanë bërë të ditur se propozimi është bërë nga zyrtarët francezë, dhe është mbështetur prej të paktën katër shteteve tjera: Suedisë, Belgjikës, Holandës dhe Spanjës.
ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit.
Ndryshe, në muajin prill, BE-ja pati planifikuar që vitin e ardhshëm, përkatësisht nga muaji maj, të vendosë në fuqi masën “European Travel Information and Authorization System (ETIAS), që vendet të cilat gëzojnë udhëtim të lirë pa regjim vizash, t’i nënshtrohen një procedure paraprake autorizuese për të hyrë në BE.
Në mesin e këtyre vendeve që do t’i nënshtrohen kësaj procedure autorizuese, janë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja e Hercegovina, prekeshin fillimisht nga kjo masë, por tash e njëjta po kërkohet edhe për Kosovën.