Aktivistë të guximshëm mjedisorë kanë bërë fushatë me muaj në një fshat të vogël bujqësor në Gjermaninë perëndimore me shpresën se edhe të tjerët do të ndihmonin në ndalimin e zgjerimit të një miniere qymyrguri.
Ata kishin arsye për të qenë optimistë.
Protestat masive bënë që qeveria gjermane të ndërhynte dhe të shpëtonte një pyll të vjetër nga zgjerimi i minierës vetëm dy vjet më parë.
Partia e Gjelbër shënoi paraqitjen e saj më të mirë ndonjëherë në zgjedhjet e vitit të kaluar, një shenjë se si lufta kundër ndryshimeve klimatike ishte bërë një çështje politike në ekonominë më të madhe të Evropës.
“Nëse do të ishin 50 mijë vetë në rrugë, politikanët do të duhej të bënin diçka”, ka thënë fermeri 58-vjeçar Eckardt Heukamp.
Por rritja e shpresuar e protestuesve nuk u realizua kurrë.
Javën e kaluar, qeveria vulosi në mënyrë efektive fatin e Lützerath duke njoftuar se RWE, kompania më e madhe energjetike e Gjermanisë, kishte nevojë për qymyrin për të kompensuar gazin që kishte ndaluar të rrjedhë nga Rusia.
Tani për tani, lufta në Ukrainë dhe perspektiva e afërt e një dimri pa karburant të lirë rus, ka ftohur entuziazmin në Gjermani për politika më të gjelbra.
Për një komb që është zotuar të heqë dorë nga qymyri deri në vitin 2030, kjo ka qenë një tërheqje e papritur dhe njëherazi e vështirë.
Robert Habeck, ministri gjerman i Ekonomisë, ka thënë se kjo është një lëvizje e dhimbshme, duke i referuar cilësisë së dobët të qymyrit në fshat. Por ka pranuar se është e nevojshme.