Zv/sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Aleksandër Venediktov në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS, ka theksuar se nëse Ukraina hyn në NATO, do të ketë “një përshkallëzim të garantuar deri në Luftën e Tretë Botërore”.
Zyrtari i lartë rus shtoi se pavarësisht se Aleanca Atlantike thotë se nuk është e përfshirë në konflikt, “veprimet e kryera nga vendet perëndimore tregojnë se ato janë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në konflikt”.
Në të njëjtën mënyrë ka folur edhe Bjellorusia, e cila ka qenë aleate e Rusisë në konfliktin e saj me Ukrainën. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandr Lukashenko, ka dhënë paralajmërimin e mëposhtëm për rrezikun e rritjes së përshkallëzimit të tensioneve në Ukrainë: “Rreziku i fillimit të një Lufte të Tretë Botërore, në të cilën nuk do të kishte fitues, është i papranueshëm. Gjërat duhet të mendohen duke pasur parasysh se situata është përkeqësuar në mënyrë katastrofike jo vetëm në Evropë, por globalisht”.