Presidenti amerikan, Joe Biden, u bëri thirrje liderëve në Iran që të ndalin dhunën kundër qytetarëve të tyre. Gratë “duhet të jenë në gjendje të veshin në emër të Zotit atë që duan të veshin”, tha ai gjatë një fjalimi në Kolegjin e Komunitetit Irvine Valley në Kaliforni, më 14 tetor.
Biden tha se ishte “i shtangur” nga protestat masive në Iran, të cilat shpërthyen muajin e kaluar, pas vdekjes së një gruaje të re në paraburgim, e cila ishte ndaluar nga policia e moralit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
“Dua të dini se ne qëndrojmë me qytetarët, gratë e guximshme të Iranit”, tha Biden.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, përshëndeti guximin e protestuesve anti-qeveritar në Iran, teksa u takua më 14 tetor në Uashington me aktivistë me origjinë iraniane.