Protestuesit intensifikuan demonstratat antiqeveritare në rrugët kryesore dhe në universitete në disa qytete anembanë Iranit të shtunën.
Vëzhguesit e të drejtave të njeriut njoftuan për qindra të vdekur, përfshirë fëmijë, ndërsa lëvizja hyri në javën e saj të pestë.
Protestuesit brohoritën “Poshtë Diktatori” në rrugët e Ardabilit në veriperëndim të vendit. Studentët u mblodhën para universiteteve në Kermanshah, Rasht dhe Teheran, sipas videove në mediat sociale.
Në qytetin e Sanandajt, një pikë e nxehtë për demonstratat në rajonin verior kurd, vajzat e shkollës brohoritën, “Grua, jetë, liri”, në një rrugë qendrore.
Protestat shpërthyen pas zemërimit publik për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim nga policia.
Ajo u arrestua nga policia morale e Iranit në Teheran për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike.
Qeveria e Iranit këmbëngul se Amini nuk u keqtrajtua në paraburgim nga policia, por familja e saj thotë se trupi i saj kishte mavijosje dhe shenja të tjera rrahjeje pasi u ndalua.