Forcat ruse po vazhdojnë të shënjestrojnë infrastrukturën civile në qytete dhe fshatra anembanë Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se trupat ukrainase po i shmangin sulmet e përsëritura ruse në qytetin strategjik lindor të Bakmutit.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha, më 16 tetor, se forcat ruse kishin shënjestruar më shumë se 30 qytete dhe fshatra në të gjithë Ukrainën. Ata thanë se në 24 orët e fundit, forcat ruse kanë lëshuar pesë raketa, kanë bërë 23 sulme ajrore dhe deri në 60 sulme me raketa.
Si kundërpërgjigje, forcat ajrore të Ukrainës kryen 32 sulme, duke goditur 24 objektiva ruse, tha ai.
Rusia ka humbur territor tash e shtatë javë, që kur forcat e armatosura të Ukrainës nisën kundërofensivën e tyre në verilindje, lindje dhe jug të vendit.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes më 15 tetor, Zelensky tha se trupat ukrainase po mbanin ende qytetin strategjik lindor të Bakmutit, pavarësisht sulmeve të përsëritura ruse, ndërsa situata në rajonin më të madh të Donbasit mbetet shumë e vështirë.
Ushtria ukrainase ka rimarrë mbi 600 vendbanime nga forcat ruse gjatë muajit të fundit, tha më 14 tetor ministria për Riintegrim e Territoreve të Pushtuara Përkohësisht, derisa Moska po vazhdon të kryejë sulme ajrore ndaj disa qyteteve duke vrarë civilë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt./REL