Presidenti kinez, Xi Jinping, ka bërë thirrje për fuqizimin më të shpejtë të një ushtrie të klasit botëror, teksa hapi Kongresin 20-të të Partisë Komuniste, ku përsëriti prioritetet kryesore të politikës së tij.
Në fjalimin e tij më 16 tetor, Xi ritheksoi mbështetjen për sektorin privat dhe lejimin që tregjet të të luajnë një rol kyç, edhe pse Kina përmirëson një “sistem ekonomik socialist” dhe promovon “mirëqenien e përbashkët”.
Duartrokitjet më të mëdha erdhën kur ai përsëriti kundërshtimin ndaj pavarësisë së Tajvanit.
Xi pritet të sigurojë një mandat të tretë lidershipi në përfundim të kongresit njëjavor, duke vulosur kështu statusin e tij si sundimtari më i fuqishëm i vendit që nga koha e Mao Ce Dunit, themeluesit të Republikës Popullore të Kinës.
Mbledhja e Kongresit me rreth 2.300 delegatë nga i gjithë vendi filloi në Sallën e Madhe të Popullit në anën perëndimore të sheshit Tiananmen, mes masave të rrepta të siguris.
Lideri kinez u bë udhëheqësi më i lartë i vendit një dekadë më parë, kur u emërua sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak në Kongresin e 18-të të partisë. Një vit më vonë, në muajin mars, ai u bë president./REL