Të paktën tre shpërthime janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas Kiev, pasi sirenat e sulmit ajror u ndezën. Kryebashkiaku Vitalii Klitschko tha se ndërtesat e banimit në zonën qendrore të Shevchenkivskiy janë dëmtuar. Andriy Yermak, kreu i zyrës së Presidentit Zelensky, tha se sulmet ishin nga të ashtuquajturat dron kamikaze.
Kjo vjen një javë pasi kryeqyteti u godit nga disa raketa ruse në orën e pikut, në një sulm mbarëkombëtar që la 19 të vdekur, shkruan BBC. Duke shkruar në faqen e mediave sociale Telegram, Klitschko tha se shpërthimet ishin në lagjen Shevchenkivskiy, që u godit nga disa sulme javën e kaluar. Ai tha se ekipet e shpëtimit ishin në vend dhe u tha banorëve të qëndronin në strehimoret e sulmeve ajrore.
Yermak tha në Telegram se sulmi ishte nga dronët kamikaze dhe se Ukraina kishte nevojë për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore sa më shpejt të jetë e mundur. Dronët, që thuhet se i janë furnizuar Rusisë nga Irani, mund të qëndrojnë pezull për orë të tëra përpara se të zhyten në objektiva dhe të shpërthejnë.