“Ky vit akademik i gjen universitetet shqiptare në ditën më të vështirë”. Kështu deklaroi sot deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho duke dalë në krah të protestës së pedagogëve dhe bojkotit që ka nisur në ditën e parë të vitit të ri akademik.
Të braktisura nga një pjesë e madhe e studentëve që zgjedhin të largohen nga vendi, Xhixho u shpreh se universitetet shqiptare hapin sot dyert ndryshe nga vitet e tjera.
“Në auditoret e universiteteve u ulën sot rreth 1 mijë studentë më pak se vitin e shkuar.
Mbi 11 mijë aplikime janë bërë nga maturantët shqiptarë në universitetet e huaja. Pra, një në tre maturantë ka zgjedhur të shkollohet jashtë.
Përgjatë viteve të fundit kemi humbur rreth 50 mijë studentë. Interesi për degët prioritare që u incentivuan nga qeveria është pothuaj zero, një tjetër politikë e dështuar.
Degët e mësuesisë janë gjithnjë e më pak të kërkuara, sepse mësuesi nuk paguhet të paktën sa kolegët e tij në rajon.
Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën Fizikë janë regjistruar vetëm 10 studentë, në Kimi 12 dhe në Matematikë 25 studentë. Bëjeni llogari vetë cila do të jetë e ardhmja e mësimdhënies në Shqipëri, nëse do të vijohet me këto ritme.
Degë si peshkimi apo zooteknika rrezikojnë mbylljen, pasi të regjistruar janë vetëm 6 studentë.
Në universitetet e rretheve, regjistrimet tkurren në mënyrë progresive çdo vit. Universiteti i Gjirokastrës hap sot dyert me ¼ e numrit të studentëve që kishte disa vite më parë.
Kjo është përgjigjja që të rinjtë shqiptarë po i japin kësaj qeverie dhe politikave të saj arsimore të dështuara” deklaroi Xhixho.