Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha se do të ligjërojë të drejtën e abortit, në janar nëse demokratët mbajnë shumicën në Kongres. Premtimi vjen në prag të zgjedhjeve të nëntorit dhe presionit në rritje për shkak të inflacionit të lartë.
Partia Demokrate e Presidentit Biden mund të humbasë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe të Senatit, në zgjedhjet e nëntorit. Zoti Biden po përpiqet të mbajë të bashkuar partinë dhe mbështetësit e tij mbi të drejtën e abortit, që u cenua rëndë nga Gjykata e Lartë e cila anuloi vendimin historik të vitit 1973 që përcaktoi se gratë kanë të drejtën kushtetuese për të ndalur shtatzëninë në gjashtë muajt e parë kur fetusi nuk është në gjendje të mbijetojë jashtë mitrës.
Nëse zgjerojnë epërsinë e ngushtë në senat, si edhe ruhet kontrolli në Dhomën e Përfaqësuesve, zoti Biden tha se ai do të firmosë në janar për të mbrojtur me ligj vendimin historik që mbron të drejtën e abortit. Ai u bëri thirrje amerikanëve të kujtonin se si u ndjenë pasi u njoftua vendimi i Gjykatës së Lartë.
Ndalimi i abortit ka hyrë në fuqi në 16 shtete që nga vendimi i gjykatës. Demokratët aktualisht kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kontrollojnë senatin amerikan të ndarë përgjysmë, 50 me 50, pasi nënpresidentja Kamala Harris hedh votën përcaktuese të çdo legjislacioni.