Qytetarët janë duke vuajtur më së shumti nga vazhdimësia e tensioneve dhe mosbesimit mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë në një deklaratë të përbashkët të 40 organizatave joqeveritare dhe mediave të këtyre dy shteteve.
Në këtë deklaratë janë përmendur shqetësimet lidhur me ndikimin që ka mungesa e përparimit në dialogun mes dy vendeve.
“Në Kosovë, ekziston një mungesë thelbësore e dialogut dhe bashkëpunimit përmes institucioneve të zgjedhura. Parlamentarët e Listës Serbe po dështojnë të përfaqësojnë nevojat e komunitetit serb të Kosovës”, është thënë në këtë dokument, me thirrjet që Lista Serbe të jetë aktive në institucionet e Kosovës.
Lista Serbe është subjekti më i madh i serbëve të Kosovës dhe gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Ura kryesore në Mitrovicë mbetet e mbyllur për qarkullim, pavarësisht investimeve të shumta të Bashkimit Evropian. Të dyja palët do të duhej të angazhohen për zgjidhjen e demarkacionit të Mitrovicës së Veriut, gjë që ka penguar procesin e rihapjes”.
Organizatat joqeveritare dhe mediat kanë bërë thirrje po ashtu që palët të punojnë edhe për të gjetur zgjidhje për çështjen e targave./REL