Gjermania organizoi të enjten një takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe të disa vendeve evropiane. Kjo, si një përpjekje për të frenuar emigrimin përmes të ashtuquajturës rrugë ballkanike.
Një numër në rritje i emigrantëve janë përpjekur të arrijnë në vendet më të pasura të Evropës Perëndimore nëpërmjet Ballkanit. Shpesh duke u paguar kontrabandistëve mijëra euro për të kaluar përtej kufijve pa dokumente të vlefshme udhëtimi.
Paketa e masave që zyrtarët e Evropës Perëndimore dhe BE-së kërkuan në takimin e Berlinit përfshin përafrimin e politikave të vizave të shteteve të Ballkanit Perëndimor, Serbisë, Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me standardet e BE-së, luftën ndaj trafikimit të emigrantëve, sigurimin e mbrojtjes efektive të kufijve dhe përshpejtimin e dëbimeve.
Diplomatët e BE-së kanë përsëritur se shqetësimi më i madh është për rritjen dramatike të numrit të refugjatëve që në BE vinë përmes Serbisë nga vendet të cilave Serbia ua ka hequr vizat. Serbia është kërcënuar se BE mund ti vendosë vizat për qytetarët e saj nëse urgjentisht nuk ndërmerren masa për të ndalur këtë valë të refugjatëve.
Për këtë problem është folur edhe në takimin e ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë në kuadër të procesit të Berlinit që është zhvilluar sot në kryeqytetin e Gjermanisë, ku mori pjesë edhe komisionerja e BE-së për punë të brendshme Ylva Johanson.
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës, gëzojnë liberalizimin e vizave me BE-në. Prandaj BE-ja pret nga ato që të mos mundësojnë udhëtimin pa viza në territorin e tyre nga vendet të cilat mund të paraqesin rrezik për emigrim ilegal drejt BE-së./REL