Në kuadër të aktiviteteve të Tetorit Rozë, muajit të ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, është organizuar “Pink-Talk”, një aktivitet i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me pjesëmarrjen e Ministres Ogerta Manastirliu, grave që e kanë fituar betejën me kancerin e gjirit, mjekëve, ekspertëve të fushave të ndryshme.
Gjatë fjalës së saj, Manastirliu ka dhënë lajmin e mirë se duke filluar nga data 1 Nëntor në kalendarin kombëtar të vaksinimit do të përfshihet kryera e vaksinës HPV.
“Unë jam e gëzuar të them se duke filluar nga data 1 Nëntor, ne në Shqipëri, për të parën herë përfshijmë në kalendarin tonë të vaksinimit vaksinën kundër humanpapillomavirusit.
Kemi punuar gjatë për të arritur këtu dhe fakti që një vaksinë kaq efektive është dhe ne tashmë kemi mundësi që vajzat tona t’i vaksinojmë dhe të garantojmë që deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës, është një fitore.
Fitore padyshim e shkencës, por është një fitore e cila ne sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës”, tha Manastirliu.