Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njoftoi sot se ka bllokuar në Korçë 104.39 kg produkte të ndryshme ushqimore dhe 7791 kokrra vezë të pasigurta për konsum. Mishi dhe vezët e skaduara janë konstatuar në shtatë subjekte, që AKU thotë se i ka gjobitur, por nuk tregon emrat e tyre, që qytetarët t’i dinë për të shmangur rrezikun.
“AKU bllokon produkte ushqimore të pasigurta për konsum dhe gjobit 7 subjekte për shkeljet e konstatuara. Trupa inspektuese e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ka vijuar me kontrollet dhe monitorimet në qarkun e Korçës, në njësi të tregtimit të produkteve të mishit, mishit të pulës dhe të vezëve, ku janë konstatuar tregtim i ushqimit të pasigurt në mungesë gjurmueshmërie, etiketimi dhe ushtrim aktiviteti i papajisur me licencën përkatëse.
Nga kontrollet e ushtruara në subjektet me iniciale “A.M”, “A.L”, “E.M”, “K.I”, “A”, “A.I” dhe “G.B” ka rezultuar hedhja në treg e produktit mish pule, në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, manualit të vetëkontrollit, etiketimit, tregtim i ushqimit të pasigurt për konsum, produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi, si dhe ushtrim të aktivitetit i papajisur me licencë përkatëse.
Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese e AKU-së vendosi 15 masa administrative gjobë në vlerën 3,950,000 lekë, si dhe u krye bllokimi i sasisë prej rreth 104.39 kg produkte të ndryshme ushqimore dhe 7791 kokrra vezë të pasigurta për konsum” thuhet në njoftim.